20.9.2019                      

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Komisioneri Publik, gjatë parashtrimeve për shkaqet e ankimit, vlerësoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është në pajtueshmëri me aktet dhe provat e administruara, pasi subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e mosdeklarimit saktësisht dhe plotësisht të pasurisë, si dhe nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të tyre.

Komisioneri Publik solli në vëmendjen e trupit gjykues edhe informacionin e përcjellë nga DSIK-ja, lidhur me subjektin e rivlerësimit, depozituar pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, më datë 16.11.2018, rrethanë kjo pas depozitimit të ankimit, të cilën Komisioneri Publik e përcolli pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në të njëjtën datë.

Subjekti i rivlerësimit u paraqit me prapësime të reja në seancë, pasi i kërkoi trupit gjykues të mos merrte parasysh parashtrimet e depozituara më parë pranë Kolegjit.

Ai kërkoi riçeljen e shqyrtimit gjyqësor dhe pranimin e provave të reja për secilin nga shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik.

Trupi gjykues referoi pyetje për Komisionerin Publik lidhur me dokumentacionin sekret të përcjellë nga DSIK-ja dhe, pas konsultës në dhomë këshillimi, deklaroi se vendimi për marrjen ose jo si provë do të jepet pasi trupi gjykues të njihet me përmbajtjen e dokumentit.

Seanca për vlefshmërinë e provave të reja, të parashtruara nga subjekti i rivlerësimit, do të zhvillohet më datë 1.10.2019, ora 12:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF