3.10.2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.
Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik parashtroi dakordësinë e tij për analizën e situatës financiare të subjektit të rivlerësimit, për periudhën 2003-2016, kryer nga Njësia Ligjore, pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi analizën financiare në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe i kërkoi trupit gjykues që, krahas administrimit të provave të reja, të paraqitura në seancë, të caktojë një ekspert kontabël të licencuar pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Pas konsultimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi rrëzimin e kërkesës së subjektit të rivlerësimit për caktimin e një eksperti kontabël, ndërsa lejoi administrimin e provave të reja të paraqitura prej tij.
Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 11.10.2019, ora 11:00, për t’i dhënë kohë Komisionerit Publik për t’u shprehur për provueshmërinë e akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi, shtesa e ankimit dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.