16.10.2019                      

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Gjatë seancës së sotme, trupi gjykues u njoh me qëndrimet e palëve mbi dokumentin e deklasifikuar të DSIK-së, të dërguar në Institucionin e Komisionerëve Publikë pas depozitimit të ankimit. Komisioneri Publik deklaroi se nga shqyrtimi i përmbajtjes së informacionit, të përcjellë nga DSIK-ja, për personat e tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, rrethanat dhe faktet e paraqitura mund të shërbejnë në vlerësimin tërësor të çështjes dhe të procedurave rivlerësuese të subjektit të rivlerësimit. Komisioneri Publik parashtroi se ky informacion, bazuar edhe në marrëdhëniet e pranuara nga subjekti i rivlerësimit për një interes kontraktual pasuror mes tij dhe personit, të proceduar penalisht, mund të shërbejë si rrethanë dhe argument, se subjekti i rivlerësimit mund të vihet lehtësisht nën presionin e strukturave kriminale, në referim të nenit 37, germa “c”, të ligjit nr. 84/2016.

Subjekti i rivlerësimit, në qëndrimin e tij, kërkoi që informacioni i përcjellë nga DSIK-ja, të mos merret si provë, me pretendimin se me personat e referuar në dokument ai ka vetëm lidhje kontraktuale.

Trupi gjykues kërkoi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë të informojnë Kolegjin nëse ekziston informacion i referuar nga agjencitë ligjzbatuese për personat e tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit dhe nëse subjekti i rivlerësimit është përfshirë në trajtimin e këtij informacioni apo e ka trajtuar atë në cilësinë e tij si prokuror pranë të dyja institucioneve të lartpërmendura.

Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet më datë 4.11.2019, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF