4.11.2019                      

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, aktualisht me detyrë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë seancës së sotme, trupi gjykues u njoh me qëndrimet e palëve mbi informacionin e përcjellë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, kërkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në funksion të hetimit gjyqësor.

Komisioneri Publik nuk komentoi mbi informacionin, ndërsa subjekti i rivlerësimit, gjatë depozitimit të provave, i kërkoi trupit gjykues që, me kërkesë të shtetasit A. L., i referuar në informacionin e DSIK-së, të depozitojë në cilësinë e provës edhe dy dokumente, që sipas tij provonin pafajësinë e personit tjetër të lidhur me të.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, administroi në cilësinë e provës vetëm aktet në gjuhën shqipe, duke i konsideruar të palejueshme provat e tjera të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet më datë 7.11.2019, ora 9.30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF