12.11.2019                      

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, aktualisht me detyrë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Komisioneri Publik, në konkluzionet përfundimtare, u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit dhe deklaroi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e mosdeklarimit saktësisht dhe plotësisht të pasurisë dhe se nuk arriti të provojë bindshëm ligjshmërinë e burimeve të krijimit të saj. Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 58, datë 1.8.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Muçi.

Subjekti i rivlerësimit, në konkluzionet përfundimtare, kundërshtoi të gjitha shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, me pretendimin se ka provuar të kundërtën e tyre. Ai kërkoi nga trupi gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e tij në detyrë.

Trupi gjykues, pas mbylljes së shqyrtimit gjyqësor, u tërhoq në dhomë këshillimi dhe njoftoi shpalljen e vendimit më datë 21.11.2019, ora 11.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF