11.2.2020
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, i paraqiti trupit gjykues kërkesë paraprake për pezullimin e gjykimit. Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit pretendoi se, bazuar në nenin 297 të K. Pr. C., gjykimi nuk mund të vazhdonte deri kur Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme të shpreheshin për një procedim penal të regjistruar prej tyre, si dhe Gjykata Kushtetuese të shqyrtonte kërkesat e depozituara nga subjekti i rivlerësimit në lidhje me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të trupit gjykues.
Trupi gjykues, i konsultuar në dhomë këshillimi, rrëzoi kërkesën e subjektit të rivlerësimit për pezullimin e gjykimit, si të pabazuar në nenin 297 të Kodit të Procedurës Civile dhe vendosi vazhdimin e gjykimit, duke ftuar Komisionerin Publik për të paraqitur qëndrimin e tij në lidhje me prapësimet e subjektit të rivlerësimit.
Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij rreth prapësimeve dhe akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, vlerësoi se të gjitha shkaqet e ankimit mbeten për t’u marrë në shqyrtim, pasi nga argumentet e pretenduara dhe aktet e sjella nga subjekti i rivlerësimit nuk provohet e kundërta e kërkimeve të ankimit.
Pasi pjesëmarrësit në gjykim shprehen se nuk kishin më kërkesa për paraqitje aktesh të tjera ose pretendimesh në lidhje me provueshmërinë, trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë hetimin gjyqësor, duke administruar në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit gjatë prapësimeve të tij. Në vijim, trupi gjykues e konsideroi të mbyllur hetimin gjyqësor dhe ftoi palët për të paraqitur pretendimet përfundimtare në seancën vijuese, më datë 18.2.2020, ora 11.00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.