2.10.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 112, datë 4.3.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Dritan Peka, prokuror, Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Kryesuesja e seancës, pas verifikimit të prezencës së palëve, njoftoi se, referuar vendimit të ndërmjetëm, të seancës së shkuar, subjekti i rivlerësimit kishte depozituar në rrugë elektronike prapësimet për analizën financiare, të kryer nga KPA-ja, me kërkesë të Komisionerit Publik.

Komisioneri Publik, referuar shkaqeve të ankimit dhe pasi u njoh me analizën financiare për mjaftueshmërinë financiare të subjektit të rivlerësimit për periudhën 2003 – 2016, të kryer nga Kolegji me kërkesë të tij, shprehu dakordësinë për një pjesë të zërave, ndërsa kundërshtoi përllogaritjet për gjendjen e likuiditeteve cash, të deklaruara nga subjekti i rivlerësimit në deklaratat periodike të viteve 2005 dhe 2010.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, prapësoi gjetjet e analizës së sipërcituar dhe, në mbështetje të tyre, parashtroi 16 akte të reja.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, pasi administroi provat e reja, të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, deklaroi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ftoi palët për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare më datë 8.10.2020, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF