21.10.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 187, datë 24.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Elvin Gokaj, prokuror / në atë kohë Drejtues i Prokurorisë së Apelit, Shkodër.

Komisioneri Publik, z. Florian Ballhysa, njoftoi trupin gjykues se Komisioneri Publik, z. Darjel Sina, i cili ka ushtruar ankim ndaj vendimit të mësipërm, e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancë për arsye objektive dhe se, nëpërmjet email-it, e kishte vënë në dijeni Kolegjin, duke i kërkuar edhe shtyrjen e seancës, në një kohë të përshtatshme.

Kryesuesja e trupit gjykues konfirmoi marrjen e email-it dhe, pasi përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit shprehu dakordësinë, lidhur me kërkesën e Komisionerit Publik, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për në datën 2.11.2020, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF