11.2.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 173, datë 1.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artan Madani, me detyrë prokuror/Drejtues në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Kavajë.

Kryesuesja e trupit gjykues, gjatë verifikimit të prezencës së palëve, informoi se subjekti i rivlerësimit kishte paraqitur një kërkesë paraprake për shtyrjen e seancës, për shkak të gjendjes shëndetësore të avokatit të tij.

Subjekti i rivlerësimit, me kërkesë të trupit gjykues, e rikonfirmoi edhe në seancë kërkesën e mësipërme, me arsyetimin se kërkonte të ushtronte të drejtën e përfaqësimit me avokat.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij, e vlerësoi kërkesën të bazuar në aktet e lëshuara nga institucionet përkatëse shëndetësore, duke kërkuar paraprakisht nga trupi gjykues që, para se të dispononte mbi këtë kërkesë, të administronte proceduralisht deklarimin e vullnetit të subjektit të rivlerësimit për përfaqësimin me avokatin përkatës, gjatë këtij gjykimi, në Kolegjin e Posaçëm  të Apelimit.

Trupi gjykues, pasi administroi deklarimin nga subjekti i rivlerësimit, se në këtë gjykim do të bashkëpërfaqësohej me avokat, vendosi njohjen e tij si palë në gjykim dhe njoftoi shtyrjen e seancës më datë 23.2.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF