9.9.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 60, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit në këtë seancë parashtruan bisedimet përfundimtare.

Komisioneri Publik parashtroi se shqyrtimi gjyqësor, bazuar në shkaqet e ankimit, evidentoi mangësitë e konstatuara, në disa elemente të vlerësimit të kriterit të aftësive profesionale, gjatë hetimit të çështjes, nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisioneri Publik vlerësoi se hetimi i kryer nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit provoi nevojën se, për raste të ngjashme, kur rrethanat faktike dhe juridike e lejojnë, kërkimi i ankimit të Komisionerit Publik të jetë alternativ kundrejt juridiksionit kontrollues të Kolegjit, pasi, sikundër u dëshmua konkretisht, në vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Medja, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte vendosur konfirmimin e tij në detyrë pa administruar dhe analizuar më parë të gjitha burimet ligjore të vlerësimit, të parashikuara në ligjin nr. 96/2016, fakt ky që u riparua gjatë hetimit gjyqësor të çështjes në Kolegj.

Referuar edhe përmbajtjes së rekomandimit të tre vëzhguesve ndërkombëtarë të ONM-së, Komisioneri Publik u shpreh se, bazuar në nenin 66, pika 2, të ligjit nr. 84/2016, në vendimin përfundimtar Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet të orientojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që në vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale të përdoret metodologjia përkatëse, e propozuar nga Komisioneri Publik, metodologji, e cila gjeti pasqyrim dhe në draftmetodologjinë, që Kolegji ua paraqiti palëve për diskutim gjatë gjykimit konkret.

Duke iu referuar zbatimit të kësaj metodologjie, në vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale, në analizë të të gjithë burimeve dhe elementeve të vlerësimit profesional, që janë pjesë e saj e që u administruan të plota pas hetimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në referencë të neneve 71-77, të ligjit nr. 96/2016, Komisioneri Publik u shpreh se subjekti i rivlerësimit, z. Gentian Medja,  nuk rezulton që me njohuritë, aftësitë në gjykim, qëndrimet e tij të paraqesë  një model pune aq të dobët, saqë të rrezikojë ose cenoje të drejtat e qytetarëve, dhe për rrjedhojë vlerësoi se subjekti i rivlerësimit arrin një nivel kualifikues “I aftë”, në vlerësimin e aftësive profesionale, sipas kuptimit që i jep këtij niveli, neni 44, i ligjit nr. 84/2016.

Në këto kushte, Komisioneri Publik i kërkoi trupit gjykues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit lënien në fuqi të vendimit nr. 60, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gentian Medja, duke bërë pjesë të arsyetimit të vendimit, bazuar në nenin 66, pika 2, të ligjit nr. 84/2016, orientimin për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që për vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale për subjektet e rivlerësimit, të përdoret metodologjia e zbatuar në këtë gjykim.

Ndërkohë, subjekti i rivlerësimit, në bisedimet përfundimtare, u qëndroi prapësimeve të parashtruara prej tij kundër ankimit të Komisionerit Publik, duke pretenduar pabazueshmërinë ligjore të nevojës për zbatimin e një metodologjie për vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale nga ana e institucioneve të rivlerësimit, pasi sipas tij, kjo do të ishte në kundërshtim dhe me Kushtetutën. Subjekti i rivlerësimit kërkoi nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit lënien në fuqi me të njëjtin arsyetim të vendimit nr. 60, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pas parashtrimeve të pretendimeve përfundimtare, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe njoftoi palët se vendimi përfundimtar do të shpallet në seancën e datës 13 shtator, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF