18.2.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në parashtrim të pretendimeve përfundimtare, Komisioneri Publik u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit, pasi në vlerësimin e tij pretendimet dhe provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e secilit shkak ankimi.

Komisioneri Publik çmoi se, nga vlerësimi tërësor i akteve të administruara në gjykimin e kësaj çështjeje, të gjitha shkaqet e ankimit, të ushtruar kundër vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, mbeten për t’u shqyrtuar dhe vendosur mbi to nga ana e trupit gjykues.

Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi i tij ligjor, në parashtrim të pretendimeve përfundimtare, pretenduan të kundërtën e kërkimeve të Komisionerit Publik, si dhe kërkuan riçeljen e hetimit gjyqësor me depozitimin e një prove të re, në justifikim të burimeve të ligjshme financiare.

Trupi gjykues, pasi u tërhoq për ta shqyrtuar këtë kërkesë, vendosi rrëzimin e saj, duke i kërkuar përfaqësuesit të subjektit të rivlerësimit parashtrimin e kërkimit përfundimtar. Pas paraqitjes së pretendimeve përfundimtare nga pjesëmarrësit në gjykim, trupi gjykues njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit përfundimtar do të mbahet më datë 27.2.2020, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF