6.5.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se analiza financiare e kryer nga trupi gjykues iu ishte vënë në dispozicion palëve dhe bëri me dije se ato janë vënë në dijeni edhe për Opinionin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, drejtuar Kolegjit, për të parë mundësinë e bashkimit të proceseve të rivlerësimit të subjekteve, z. Gerd Hoxha dhe znj. Elbana Lluri.

Komisioneri Publik, pasi konfirmoi se analiza financiare dhe Opinioni i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit janë depozituar në Institucionin e Komisionerëve Publikë, kërkoi nga trupi gjykues një kohë të arsyeshme për njohjen me çështjen në tërësi, pasi Komisioneri Publik, ushtrues i ankimit, z. Darjel Sina, prej datës 4.5.2022, ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë.

Subjekti i rivlerësimit, në qëndrimin e tij, kundërshtoi si të pabazuar në fakte dhe prova Opinionin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe i kërkoi trupit gjykues që të mos pranojë kërkesat e parashtruara në këtë dokument.

Trupi gjykues, pas konsultimit, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të marrë në cilësinë e provës aktet që ndodhen në fashikullin e vendimit të KPK-së për subjektin e rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, që lidhen vetëm me kriterin e pasurisë, si dhe aktet e reja, që ajo ka dorëzuar në Kolegj gjatë shqyrtimit gjyqësor, për këtë kriter vlerësimi. Për t’iu lënë kohë palëve të njihen me aktet e që do të administrohen rishtazi, si dhe për të dhënë qëndrimin e tyre rreth analizës financiare të kryer nga Kolegji, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 25.5.2022, ora 12:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

PDF