25.1.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 264, datë 17.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  znj. Elona Toro, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesi i seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, gjatë konluzioneve përfundimtare, konstatoi se subjekti i rivlerësimit arriti të provojë vetëm një nga shkaqet e ankimit, duke konkluduar se ajo dhe personat e lidhur me të gjenden në kushtet e pamjaftueshmërisë lidhur me vlerësimin e kriterit të pasurisë. Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 264, datë 17.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Elona Toro.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e saj, kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit Publik dhe i kërkoi trupit gjykues rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do të shpallë më datë 2.2.2023, ora 13:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF