31.1.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 287, datë 4.8.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  znj. Anita Mici, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesi i seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në parashtrimin në seancë të shkaqeve të ankimit dhe të prapësimeve, ndërsa konfirmoi se palët ishin njohur më parë me pretendimet e tyre, përmes korrespondencave me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisioneri Publik, në parashtrim të shkaqeve të ankimit, vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, ndërsa lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, Komisioneri Publik çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës, mbi gjetjet e rezultuara nga aktet e administruara nga organet ndihmëse të procesit të rivlerësimit.

Në përmbyllje të parashtrimeve të tij, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit dhe, në përfundim të shqyrtimit, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 287, datë 4.8.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Anita Mici.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi gjetjet në ankim dhe, në funksion të riçeljes së hetimit, kërkoi nga trupi gjykues administrimin e provave të reja.

Në vijim, pas dakordësimit të Komisionerit Publik për të marrë në cilësinë e provës aktet e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit, kryesuesi i seancës kërkoi qëndrimin e palëve mbi denoncimet nga publiku.

Komisioneri Publik e vlerësoi të panevojshëm hetimin mbi këto denoncime, për sa kohë ai i konsideron të mjaftueshme shkaqet e ankimit.

Subjekti i rivlerësimit parashtroi kundërshtimet e saj për një denoncim anonim.

Trupi gjykues, pas konsultimit, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të lejojë marrjen në cilësinë e provës të akteve të depozituara në Kolegj nga subjekti i rivlerësimit. Lidhur me denoncimet nga publiku, trupi gjykues vendosi të mos hetojë, pasi nuk përmbajnë fakte dhe të dhëna referuar nenit 53,  të ligjit 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Në vijim, pasi palët në proces nuk referuan kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit kërkuan kohë të arsyeshme për përgatitjen e tyre dhe, në këto kushte, trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të shtyjë seancën më datë 13.2.2023, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF