14.2.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 519, datë 25.3.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Kastriot Gramshi, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e  Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesi i seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se, edhe pas paraqitjes së akteve të reja dhe parashtrimeve në seancën e mëparshme, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë pasaktësinë në deklarim dhe pamjaftueshmërinë e dokumentimit të burimit të të ardhurave për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë e tij.

Në përmbyllje të konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik, bazuar edhe në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit,  i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 519, datë 25.3.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Gramshi.

Subjekti i rivlerësimit pretendoi për të kundërtën e kërkimit të Komisionerit Publik, duke deklaruar se si Rekomandimi i ONM-së, ashtu dhe Ankimi i Komisionerit Publik nuk bazoheshin në prova.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 2 mars 2023, ora 15:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF