19.6.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 535, datë 26.5.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Bledar Bejko, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës, sipas kërkesës së trupit gjykues, kishte përcjellë në Kolegj dosjet e çështjeve të referuara në denoncimet nga publiku.

Seanca vijoi më pas me qëndrimet e palëve mbi aktet e sipërcituara, nga ku Komisioneri Publik u shpreh se ato nuk ndikojnë në kërkimet e tij, të referuara në ankim, duke e lënë në çmim të gjykatës vendimmarrjen.

Subjekti i rivlerësimit i cilësoi pretendime të pabazuara, gjetjet e referuara në denoncime, që lidheshin me vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale, dhe kërkoi depozitimin e provave të reja.

Trupi gjykues vendosi të administrojë aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, duke e deklaruar të mbyllur shqyrtimin gjyqësor.

Pasi palët nuk parashtruan kërkesa të tjera procedurale dhe kërkuan kohë për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 22.6.2023, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF