22.6.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 535, datë 26.5.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  z. Bledar Bejko, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, sikurse u shpreh edhe në seancën e datës 19.6.2023, çmoi se aktet e dërguara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe aktet e depozituara nga subjekti, nuk ndikojnë në ndryshimin e kërkimit përfundimtar, dukë e lënë vlerësimin e tyre në çmim të gjykatës.

Duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, referuar edhe parashtrimeve me shkrim të administruara gjatë këtij gjykimi, edhe pas shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 535, datë 26.5.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Bledar Bejko.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, pretendoi se ankimi është depozituar jashtë afateve ligjore dhe se shkaqet e tij janë të pabazuara në fakte dhe prova. Në përmbyllje të prapësimeve të tij, subjekti i rivlerësimit kërkoi nga trupi gjykues rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 26.6.2023, ora 14:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF