19.7.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 276, datë 21.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  znj. Irena Brahimi, aktualisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar parashtrimeve dhe qëndrimeve të mbajtura gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes në Kolegj, konkludoi se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet e deklaruara, dhe se gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe të pasaktë për kontrollin e kriterit të pasurisë. Në lidhje me kriterin e aftësive profesionale, Komisioneri Publik vlerësoi se duhet të evidentohet nga ana e Kolegjit, mangësia e arsyetimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pjesën e dispozitivit që lidhet me çështjen civile të transferuar për inspektim në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të ndryshojë vendimin nr. 276, datë 21.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit,  znj. Irena Brahimi.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e saj, gjatë parashtrimeve të bisedimeve përfundimtare pretendoi se ka provuar të kundërtën e gjetjeve të Komisionerit Publik dhe kërkoi nga trupi gjykues lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 24.7.2023, ora 9:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF