6.10.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 318, datë 3.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Kujtim Luli, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues njoftoi se, më datë 5 tetor 2023, Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte përcjellë në Kolegj vendimin nr. 314, datë 5.10.2023, për “Deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për subjektin e rivlerësimit, z. Kujtim Luli”,  dhe se, në të njëjtën ditë, edhe subjekti i rivlerësimit, z. Kujtim Luli, kishte depozituar kërkesën për të ndërprerë procesin e rivlerësimit, për shkak se nuk e gëzonte më statusin e magjistratit.

Kryesuesja e seancës informoi gjithashtu se, me datë 3 tetor 2023, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në prani të vëzhguesit ndërkombëtar, kishte marrë vendimin për procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Kujtim Luli, vendim të cilin e kishte përcaktuar ta shpallte në ditën e sotme. Në këto rrethana, trupi gjykues i cilësoi absolutisht të papranueshme korrespondencat e sipërcituara, pasi ato ishin paraqitur jashtë çdo afati procedural. Trupi gjykues vlerësoi se edhe vendimi nr. 314, datë 5.10.2023, i KLP-së, ishte në tejkalim të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Në vijim, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, me shumicë votash, vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 318, datë 3.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Kujtim Luli.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 6.10.2023.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF