4.3.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Juljan Çafka, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit dorëzoi akte shtesë dhe në përmbyllje listoi të gjithë dokumentacionin që kishte depozituar në Kolegj.

Kryesuesja e seancës bëri me dije se aktet e dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit i ishin përcjellë për njohje edhe Komisionerit Publik dhe në vijim kërkoi të njihej me qëndrimin e tij.

Komisioneri Publik, pasi mori edhe konfirmimin e Sekretarisë gjyqësore se aktet që ai dispononte ishin të njëjta me ato të inventarizuarat, nuk paraqiti objeksione mbi përmbajtjen e tyre.

Në vijim, trupi gjykues administroi në cilësinë e provës aktet e dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit, deklaroi të mbyllur hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve, gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegj, çmoi se problematikat e konstatuara lidhen më së shumti me aftësitë organizative të subjektit të rivlerësimit, pasi ato kanë ndikuar në kryerjen e veprimeve pa efikasitet. Referuar jurisprudencës së rishtë të Kolegjit, Komisioneri Publik kërkoi: ndryshimin e vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Julian Çafka, për një periudhë 1-vjeçare dhe detyrimin e tij për të ndjekur programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, duke mbetur në fuqi vendimi i Komisionit për transferimin e dy çështjeve penale, për të cilat Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër kishte vendosur përkatësisht: pezullim dhe mosfillim të procedimit penal.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë bisedimeve përfundimtare, kundërshtoi gjetjet dhe kërkimin e Komisionerit Publik dhe i kërkoi trupit gjykues rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen  e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë në seancën e datës 5.4.2024, ora 12:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF