11.3.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku u zhvillua seanca gjyqësore publike mbi kërkesën e ish-subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari, për rishikimin e vendimit nr. 6, datë 28.2.2019, të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se trupi gjykues, në seancën e zhvilluar në dhomë këshillimi, kishte vendosur kalimin e shqyrtimit të çështjes së sipërcituar, në seancë publike, për t’iu dhënë mundësi kërkueses, znj. Antoneta Sevdari, dhe Komisionerit Publik, të dëgjohen dhe të mbajnë qëndrimet e tyre, mbi kërkesën për rishikimin e vendimit nr. 6, datë 28.2.2019, të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Në vijim, ish-subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses së saj ligjore, parashtroi rrethanat mbi të cilat bazohej kërkesa e saj, pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, mbi çështjen “Antoneta Sevdari kundër Shqipërisë – 13 dhjetor 2022”, dhe në përmbyllje i kërkoi trupit gjykues që të vendosë në mënyrë alternative: Prishjen e vendimit nr. 6/2019, të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke lënë në fuqi vendimin e konfirmimit në detyrë, ose rihapje të procesit të rivlerësimit, shfuqizim të vendimit nr. 6/2019, të KPA-së, dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 42/2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisioneri Publik, në analizë të akteve të përcjella nga Kolegji dhe bazës ligjore të aplikueshme, çmoi se vendimmarrja mbi kërkesën për rishikimin e vendimit të tij dhe themelësinë e saj, mbetet në vlerësim dhe kompetencë të Kolegjit.

Relatori i çështjes adresoi pyetje mbi qëndrimet e palëve dhe, në vijim, pas konsultimeve, trupi gjykues vendosi: pranimin e kërkesës së kërkueses, Antoneta Sevdari, për rishikimin e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.2.2019; prishjen e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.2.2019, dhe rigjykimin e çështjes gjyqësore, që i përket ankimit të Komisionerit Publik, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 42, datë 18.7.2018.

Seanca gjyqësore për vazhdimin e gjykimit të çështjes në themel do të zhvillohet më datë 17.4.2024, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, parashtrimet dhe ankimi janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF