25.3.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 681, datë 7.7.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Artur Ismajlukaj, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palët janë njohur edhe më përmbajtjen e një denoncimi të mbërritur në Kolegj më datë 13.3.2024.

Komisioneri Publik u shpreh se ankesa e sipërcituar nuk përmban të dhëna të përcaktuara në nenin 53 të ligjit 86/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Seanca vijoi më pas me paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtrimeve dhe qëndrimeve, gjatë shqyrtimit të çështjes, në konsideratë edhe të Rekomandimit të ONM-së, çmoi se vendimi i KPK-së, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit është i padrejtë, pasi subjekti i rivlerësimit ka cenuar imazhin e institucioneve të drejtësisë në publik. Komisioneri Publik, në përmbyllje të konkluzioneve, kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 681, datë 7.7.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Artur Ismajlukaj.

Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit ligjor, u shpreh se Komisioneri Publik, pavarësisht kërkimit për vlerësim tërësor të çështjes, nuk ka paraqitur shkaqe ankimi mbi kontrollin e pasurisë dhe aftësive profesionale. Rrethanat e dala në kriterin e kontrollit të figurës, deklaroi përfaqësuesi ligjor, nuk mund të çojnë në shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, pasi ai ka treguar integritet profesional.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, i cili do të shpallet më datë 2.4.2024, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF