4.4.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 592, datë 24.11.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Erion Pano, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, aktualisht i komanduar në pozicionin e Këshilltarit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegj, konkludoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe, për rrjedhojë, gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 592, datë 24.11.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Erion Pano.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, kërkoi rikonfirmimin në detyrë duke pretenduar për të kundërtën e gjetjeve në ankim.

Në vijim, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 15.4.2024, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF