7.5.2024

Komisionerja Publike ishte sot e pranishme në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 714, datë 15.11.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Maho, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Pogradec.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet komunikimit elektronik, kishte njoftuar se, për arsye familjare, ndodhej jashtë Shqipërisë dhe e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancën gjyqësore. Bashkëngjitur këtij komunikimi, subjekti i rivlerësimit kishte dërguar edhe parashtrimet mbi ankimin. Kryesuesja e seancës informoi gjithashtu se edhe Komisioneri Publik, z. Florian Ballhysa, kishte njoftuar se, për arsye objektive, në këtë seancë do të përfaqësohej me Komisioneren Publike, znj. Irena Nino.

Në vijim, kryesuesja e seancës njoftoi se, për shkak të mungesës edhe të një anëtari të trupit gjykues, seanca do të shtyhej për në datën 10.5.2024, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF