10.5.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 714, datë 15.11.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Maho, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Pogradec.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi se subjekti i rivlerësimit nuk ishte prezent edhe gjatë kësaj seance. Pas rikonfirmimit të qëndrimit të Komisionerit Publik, për vazhdimin e gjykimit të çështjes, trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të bashkojë në një çështje ankimin e Komisionerit Publik dhe ankimin e kërkuesit, z. Besnik Maho.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, parashtroi se, në analizë të akteve në dosje, rezultateve të hetimit, si dhe jurisprudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Besnik Maho plotëson kushtet e përcaktuara për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit. Në përmbyllje, Komisioneri Publik i kërkoi trupit gjykues prishjen e vendimit nr. 714/2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe urdhërimin e këtij Komisioni të vijojë të kryejë procedurat administrative në kuadër të procesit të rivlerësimit, për kërkuesin, z. Besnik Maho, ish-gjyqtar.

Kryesuesja e seancës lexoi parashtrimet e përcjella në rrugë elektronike nga kërkuesi, z. Besnik Maho, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimit nr. 714/2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe dhënien e së drejtës për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit. Kërkuesi, z. Besnik Maho, kishte bashkëlidhur në parashtrime edhe një paketë aktesh, për të cilat trupi gjykues vendosi të mos i administrojë, pasi ishin pjesë e fashikullit të vendimit të KPK-së dhe se, një pjesë e tyre, nuk kishin formën e duhur ligjore.

Në vijim, me kërkesë të kryesues së seancës, Komisioneri Publik u shpreh se i qëndronte kërkimit përfundimtar, të parashtruar edhe gjatë shkaqeve të ankimit dhe kërkoi që parashtrimet e paraqitura në seancën e sotme të konsideroheshin nga trupi gjykues edhe si bisedime përfundimtare.

Në këto kushte, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe të tërhiqet në dhomë këshillimi, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 13.5.2024, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF